Shembja masive në lagjen Kodër Vile në Durrës, ka shkaktuar dëmtimin e disa shtëpive dhe një ditë më parë u rrafshua dhe një restorant në këtë zonë. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’, i cili frekuentohet nga 3 mijë studentë, ndodhet vetëm pak metra larg restorantit të lartpërmendur. Gjithashtu, sipas “IkubInfo”, segmenti nga Universiteti i Durrësit deri tek Currilat, është bllokuar sërish gjatë orëve të natës.
Toka në këtë zonë, sipas specialistëve, është shumë e paqëndrueshme dhe e vetmja mënyrë për të shmangur rrëshqitjet masive është pyllëzimi i saj.
Edhe në qarkun e Fierit harta e zonave të përfshira në rrëshqitje është zgjeruar edhe më shumë. Muajin e fundit në këtë qark janë shkatërruar mbi 70 shtëpi nga rrëshqitjet e tokës. Ndërkohë, në fshatin Gurë të Lushnjës, tre shtëpi janë shembur ndërsa 10 të tjera janë të pabanueshme. Deri tani për banorët nuk është ofruar asnjë ndihmë as nga komuna dhe as nga shtabi i emergjencave.
Pergatiti: Violeta Ndoj