Edhe sot ka vijuar diskutimi i Komisionit të Ligjeve në lidhje me shqyrtimin e dy kërkesave të deputetëve opozitarë, të paraqitura në Parlament. Këto dy propozime kanë të bëjnë me hetimin e parregullsive në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, përpara këtij Komisioni ka folur deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri, i cili është treguar edhë një herë i palëkundur në kërkesën ë PS për hapjen e kutive të votimit, në favor të hetimit të transparencës zgjedhore. Tahiri i ka bërë thirrje Komisionit që të miratojë dy draftet e ligjeve të paraqitura nga PS, pa ndryshime thelbësore. “Miratimi i projektligjeve është shenjë e vullnetit të përbashkët për zgjidhjen e krizës dhe i jep fund asaj”, tha Tahiri. “Dy projektligjet synojnë transparencë të plotë të procesit zgjedhor dhe në to janë paraqitur gjithë rekomandimet e gjykatës kushtetuese. PS nëpërmjet dy drafteve institucionalizon të drejtën e pakicës për hetim”, vazhdoi ai.
Ndërkohë, pas Tahirit, ka folur edhe relatori i caktuar nga Partia Demokratike, Viktor Gumi. Ai ka kërkuar nga Komisioni shqyrtimin nen për nen të projektligjeve në fjalë. Edhe ai është treguar i palëkundur nga qëndrimi i maxhorancës për mos-hapjen e kutive, duke iu referuar vendimeve të gjykatës.
Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë me shqyrtimin e kërkesave të PS ditën e enjte, pra më 11 mars, ndërkohë që më 18 mars, këto projektligje do të diskutohen edhe në seancën plenare të Parlamentit.
Pergatiti: Jonida Salku