Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gervin Bell, Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kanë analizuar ecurinë e ekonomisë shqiptare së fundmi. Delegacioni i FMN-së gjendet në Shqipëri për një vizitë 10 ditore. Kreu i tij Bell, diskutoi me autoritetet shqiptare në lidhje me ekonominë në vend dhe ka vlerësuar si impresionues përballimin e krizës nga ekonomia shqiptare. Bell u shpreh se është rikthyer besimi në sektorin financiar dhe kjo reflektohet nga rritja e depozitave dhe nga dërgesat e emigrantëve. Sipas Bell, pritshmëritë për inflacionin mbeten të ankoruara mirë.
Për vitin 2009, Bell tha se FMN evidentoi se pati një rënie të reflektuar tek remitancat dhe eksportet në vend. “FMN konnstatoi se rritja ekonomike ishtë në shifrat e 3%, ndërkohë që inflacioni në rritje përtej normës 3%. FMN parashikon që për vitin 2010, rritja ekonomike të jetë në shifrat 2-2.5%, ndërsa rritja potenciale e ekonomisë do të marrë vrull vetëm në vitin 2015. Ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga huamarrja për konsum në zgjerim të burimeve prodhuese, rritje të eksporteve dhe zëvëndësim të importeve me eksporte. kjo ndihmon në klimën e biznesit dhe mbrojtje për investitorët. Në rritjen e ulët ekonomike, ka ndikuar gjithashtu rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve. Borxhi rrezikon investimet. Deficiti buxhetor duhet të jetë 3% i GDP. Qeveria të rishikojë politikat buxhetore pasi për vitin 2009, deficiti buxhetor u rrit me 7%. Buxheti ka nevojë të konsolidohet, duhet rregull fiskal i besueshëm. Sa i përket sistemit banker, FMN pasi e ka studiuar këtë sistem, ka vërtetuar se po rriten sërish dërgesat e emigrantëve. FMN evidentoi se sistemi banker gjatë krizës ekonomike hyri me rezerva dhe kapital të mjaftueshëm. Tani i duhet të përballojë e monitorojë situatën pasi rreziqe gjithmonë ka”, tha Bell.
Ndërkohë, Ministri shqiptar i Financave Bode, përshëndeti FMN në emër të qeverisë dhe i vlerësoi sugjerimet e këtij institucioni. Bode deklaroi se tanimë është koha që vendi t’i rikthehet stabilitetit makroekonomik. “Më vjen mirë që FMN konstaton faktin që gjatë vitit 2009 situata u menaxhua me sukses me masa të përshtatshme, me stimuj fiskalë dhe buxhetorë, që mundësuan një rritje ekonomike 3 % tashmë e konfirmuar dhe që rezulton ndër më të lartat në të gjithë Europën e që përbën një bazë të mirë për program ambicioz në vitet në vijim. Pas goditjeve të forta, ekonomia botërore po rikthehet në rritjen e saj më të moderuar se para krizës. Në këto kushte, për zhvillimin e ekonomisë reale duhet t'i rikthehemi themeleve më të shëndosha për të mundësuar një perspektive më të sigurt, si dhe të rivendosim një ekuilibër të ri në parametrat me të përshtathsme, pasi bota e pas krizës nuk është më e njëjtë”, deklaroi Bode. Ndërsa përsa i përket amnistisë fiskale, Bode u shpreh se ende jemi në fazën e dëgjimit të kërkesave të biznesit, pasi kjo është një iniciativë e tij dhe jo e qeverisë. “Ajo që mund të them është se do të jetë një hap që do të dëmtojë sa më pak psikologjinë e korrektësinë në pagimin e taksave”, tha Bode.
Ndërsa Guvernatoti Fullani, u shpreh në këtë konferencë shtypi se sistemi bankar i Shqipërisë ka mbetur i pandikuar nga kriza ekonomike. “Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar dhe inflacioni në vitin 2009 ishte mesatarish 2-3 %. Edhe bilancet e jashtme kanë shfaqur shenja konsolidimi. Viti 2010 parashikohet të shoqërohet nga një përmirësim gradual, por shumë nga faktorët do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë këtij viti. Politikat fiskale ndihmuan në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009, por ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet për shumë kohë në këto stimuj fiskal. Qëndrueshmëria fiskale duhet të garantohet në një rregull fiskal, ndërsa rritja ekonomike duhet të mbështetet në nxitjen e sektorit privat dhe këtu rol kryesor duhet të luajë kreditimi i saj. Lehtësimi i kushteve monetare nga BSH ka mbështetur këtë proces të rëndësishëm, ndërsa riaktivizimi i aktivitetit kreditues mbetet një objektiv sfidues, por bizneset duhet të paraqesin një plan-biznesi të vlefshëm për financim bankar. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet e kujdeshme, ndërsa infalcioni i mallrave të konsumit do të zbresë deri në 3 % gjatë vitit 2010”, deklaroi Fullani.
Pergatiti: Jonida Salku